“Horo Ano Boro / Vallëzimi në Oborr” fiton çmim në Berlin – Një sukses për kulturën dhe artin rom nga Kosova
Filmi dokumentar “Horo Ano Boro / Vallëzimi në Oborr” ka marrë çmim në AKE DIKHEA? Festival 2025 në Berlin, një prej festivaleve më të rëndësishme që promovon artin dhe zërat e komuniteteve rome në Evropë.
Regjisori dhe përfaqësuesi i Kosovës, Benjamin Menekshe, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj organizatorëve dhe drejtorit artistik të festivalit, Hamze Bytyci, për vlerësimin dhe mundësinë që ky projekt të prezantohet në një skenë ndërkombëtare.
“Është një nder i madh të përfaqësoj Kosovën dhe komunitetin rom këtu në Berlin. Falënderoj gjithashtu Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen dhe për mundësinë që zëri ynë të dëgjohet në këtë skenë,” – u shpreh Menekshe.
Sipas tij, “Horo Ano Boro” nuk është vetëm një film, por një mesazh shprese për gjeneratat e reja dhe një kujtesë se kultura rome meriton hapësirën e saj në artin bashkëkohor.
Edhe pse në Kosovë ende mungon një sallë e dedikuar për artin rom, krijuesit vazhdojnë të punojnë me përkushtim, të ëndërrojnë dhe të besojnë në fuqinë e artit për të ndryshuar perceptime.
Benjamin Menekshe shprehu falënderime të veçanta për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e dokumentarit:
“Dua të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit, intervistuesit dhe çdo person që ndau kohën, tregimet dhe zemrën e tij me ne. Pa ta, ky film nuk do të ekzistonte. Ky çmim u takon atyre – dhe çdo të riu që guxon të tregojë historinë e vet.”
Ky sukses shënon një moment të rëndësishëm për kulturën rome në Kosovë dhe dëshmon fuqinë e artit si urë lidhëse mes komuniteteve dhe brezave.







