Zëri i brezit të ri rom: Diskriminimi dhe barra e së kaluarës që nuk është e tyre

Radio "Romano Avazo" Avatar

Në Kosovë, komuniteti rom vazhdon të përballet me paragjykime dhe stigmatizim, shpesh për ngjarje të së kaluarës, të cilat brezat e rinj nuk i kanë përjetuar.

Në Aeroportin e Prishtinës, një rast i thjeshtë i takimit mes dy njerëzve tregon thellësinë e këtij diskriminimi. Një person i panjohur, pasi vuri re prejardhjen rome të një vajze i tha:“Nuk po ju fajësojmë për atë që ka ndodhur më parë, por romët tuaj i kanë kërcënuar njerëzit.”

Kjo deklaratë, e cila në fillim duket e paqartë, pasqyron një realitet ku brezat e rinj bartin barrën e një historie që nuk e kanë jetuar.

Në një intervistë me një familje rome, një nënë dhe djali i saj ndanë kujtimet dhe reflektimet mbi periudhën e luftës dhe ndikimin që ka pasur kjo periudhë tek gjeneratat e reja. Djali, i lindur në vitin 2001, pas përfundimit të luftës, tha:
“Shumë fëmijë si unë nuk kanë ide se çfarë do të thotë lufta, e lëre më të kuptojnë atë që ka ndodhur.”
Ai kujton fjalët e nënës së tij, e cila i përsëriste shpesh:
“Lufta të mos përsëritet kurrë. Paqja është mbi gjithçka.”

Nga ana tjetër, nëna e tij rrëfen periudhën e luftës si një kohë të jashtëzakonshme vështirësie:
“Çdo ditë dëgjonim për vrasje dhe dhunë, veçanërisht ndaj civilëve. Lufta u përhap nga fshatrat në qytete. Ishte kohë urie, frike dhe pasigurie të madhe. Ka pasur familje që humbën gjithçka, madje edhe fëmijë.”

Në një familje tjetër, prindërit ndanë rrëfimet e tyre të dhimbshme për vështirësitë që përjetuan gjatë luftës, si dhe për diskriminimin që kanë vuajtur si komunitet rom. Një nënë përshkroi një moment të tmerrshëm kur gjatë bombardimeve në Prizren, djali i saj i vogël u shpëtua me fat nga një dollap që i ra përmbi. Ajo tha:

“Isha në punë kur ndodhi. Ishte një mrekulli që djali nuk u lëndua.”
Bashkëshorti i saj tregoi se ishte arrestuar për 10 ditë vetëm sepse kishte dalë për të marrë ujë gjatë orës policore.

Ata theksuan gjithashtu se komuniteti rom u përball me paragjykime nga të dyja palët në konflikt: “Serbët thonin që jemi me shqiptarët, shqiptarët thonin që jemi me serbët. Ne vetëm donim të mbijetonim,” tha nëna.

Ndërsa fëmijët e tyre nuk u rritën duke dëgjuar të gjitha këto përjetime, ata tani po përballen me diskriminim pa e kuptuar shkakun. Një nga fëmijët tha:
“Ne nuk dimë shumë për luftën, por po ndjejmë efektet e paragjykimit.”

Një rast veçanërisht prekës është ai i një fëmije 7-vjeçar, i cili u etiketua si “armik” vetëm për shkak të prejardhjes së tij. Në një koment poshtë një artikulli që e paraqiste atë si një histori suksesi, dikush shkroi:
“Këta kanë qenë me shki. Edhe ky kur të rritet do të jetë ashtu.”

Megjithëse komenti u fshi, ndikimi i tij mbeti i fortë. Ky është vetëm një shembull i mënyrës sesi paragjykimet prekin fëmijët edhe në moshë shumë të vogël.

Nga bisedat për këtë artikull, vërehet diskriminimi i vazhdueshëm ndaj të rinjëve të komunitetit rom, edhe për shkak se fëmijët e komunitetit shumicë, shumë shpesh nuk mësohen të kuptojnë dhe respektojnë rëndësinë e diversitetit kulturor dhe social në vend.

Ky fenomen tregon se brezi i ri rom është i detyruar të përballet me një barrë që nuk i përket, duke u paragjykuar dhe stigmatizuar për ngjarje të së kaluarës që ata vetë nuk i kanë përjetuar. Kjo gjendje krijon sfida të mëdha në integrimin dhe mundësitë për një të ardhme më të mirë.

Ky artikul është shkruar nga gazetarja, znj. Gynesh Veshall. 

Ky shkrim është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace -Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit/gazetares dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së.