Në kohën kur bota kalon në një situatë jo të qetë, ku shpesh hasim ndarje etnike e fetare, e shpesh duke u përcjellur dhe me tensione e luftëra, Kosova zgjedh të kaloj kohën në qetësi dhe me përplot diversitet kulturor, e këtë rrugë e zgjodhën ta krijojnë rinia e saj, e ardhmja e Kosovës, duke i’a dëshmuar botës se përmes bashkëjetesës me komunitete të ndryshme, arrihet paqja, qetësia dhe mirëqenia në atë vend.
Dy prej tyre janë Gynesh Veshall, një vajzë Rome dhe Deliza Bytyqi, një vajzë Shqiptare, të dyja nga Prizreni multietnik. Edhe pse janë të ndryshme në përkatësinë etnike, ato janë të ngjashme në perspektivë dhe vizion, të shohin Kosovën një vend ku të gjithë jetojnë të barabartë, pa paragjykime dhe me dashuri e respekt për njëri tjetrin.
Gyneshi është një aktiviste e shquar e komunitetit Rom. Ajo që nga fëmijria ka qenë e përkushtuar ndaj ndryshimit të paragjykimeve që janë krijuar ndaj komunitetit Rom në Kosovë, e që rezulton të jetë njëra ndër zërat që ndikuan në krijimin e paqes ndëretnike në Kosovë:
“Të jetosh me të gjithë njerëzit bashkë në siguri, me respekt dhe mirëkuptim, pa ndarje e konflikte, do të thotë të jetosh në paqe. Si një vajzë Rome, që jeton dhe vepron në Kosovë, unë e ndjej paqen kur komunitetet tjera respektojnë dhe pranojnë kulturën dhe identitetin tonë Rom, kur nuk krijojnë paragjykime dhe përjashtime sociale, kur nuk diskriminohemi nga shoqëria në mënyra direkte dhe indirekte, por pranohemi si bashkëatdhetarë të Kosovës.” – shprehet ajo.
Si një aktiviste e Shoqërisë Civile që ka qenë me më shumë se 1 dekadë dhe që vazhdon të jetë, Gyneshi tregon për bashkëpunimet ndëretnike që ka pasur dhe si kanë ndikuar në krijimin e perspektivave të saj:
“Bashkëpunimi me njerëz të kulturave dhe identiteve të ndryshme, më ka sjellur perspektiva të ndryshme dhe më ka ndihmuar të mësoj më shumë për të tjerët, rreth historisë dhe kulturës së komuniteteve të tjera me të cilët bashkëjetojmë me shekuj. Andaj kjo gjë krijon respekt dhe mirëkuptim mes njëri-tjetrit, duke rezultuar në krijim të paqes. Prandaj, të rinjtë e Kosovës duhet ta vlerësojnë paqen, pasi lidhet me të ardhmen e tyre, duke përforcuar dialogun me njëri-tjetrin, ata bashkojnë komunitetet.” – rrëfehet ajo.
Ajo gjithashtu tregon dhe faktorët të cilët ndikojnë në mungesën e paqes së përditshme, por ndan mendimet dhe se si mund të bëhet zgjidhja e këtij faktori negativ:
“Paragjykimet dhe stereotipet, pengojnë që të ketë gjithëpërfshirje sociale, duke rezultuar në ndarje etnike dhe mungesë të informacioneve rreth historisë dhe identitetit të komuniteteve që jetojmë se bashku, gjë që të dërgon në krijim të paragjykimeve ndaj njëri-tjetrit. Andaj, informacionet bazë mirren që në fëmijëri, pra në shkollë. Edukimi për paqen i ndihmon të rinjtë të kuptojnë rëndësinë e respektit dhe gjithëpërfshirjes ndëretnike, pranimit të njëri-tjetrit.” – tha Gynesh.
Gyneshi, për në fund u bënë thirrje të rinjëve të vlersojnë paqen, duke i thirrur ata në bashkërrugëtimin e saj:
“Ne të rinjtë, jemi shpresa e një të ardhmë paqësore, duke bashkëpunuar dhe respektuar njëri-tjetrin, ne ndërtojmë një urë të bashkuar për komunitetet ku na sjell një bashkëjetesë ndëretnike në Kosovë.” – përmbyll mesazhin Gynesh Veshall.
Deliza, po ashtu një aktiviste e Shoqërisë Civile, një vajzë shqiptare e cila ka bashkëpunuar me komunitetet tjera në Kosovë, ndanë mendimet e saja rreth paqes në Kosovë:
“Në Kosovë, kemi një mjedis ndëretnik i cili frymon diversitet kulturor, gjë që e bënë unike si vend, e që dërgon në krijim të paqes. Paqja nuk është vetëm të mos ketë luftë apo konflikte, është të ketë drejtësi, siguri dhe bashkëpunime në shoqëri të përbashkët.” – tha ajo.
Duke qenë aktiviste, ajo ka arritur të mësoj dhe të ndaj histori nga identiteti i saj, duke u rrjetëzuar me komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë:
“Si një aktiviste, duke bashkëpunuar me komunitetet tjera me të cilët bashkëjetojmë në Kosovën e përbashkët, kam mësuar shumë rreth historisë, kulturës dhe identitetit të komuniteteve tjera, duke më bërë t’i njoh më ndryshe komunitetet, nga ajo se çfarë kemi ditur, si dhe kam ndarë histori të komunitetit tim, ku komunitetet tjera janë njoftuar më shumë.” – shprehet ajo.
Për më shumë, ajo tregon dhe nga perspektiva e saj se si ndikojnë paragjykimet në komunitet, duke rezultuar në fenomene negative, siç janë paqja e përditshme:
“Paragjykimet, ndalojnë komunitetet të kenë shoqërime me njëri-tjetrin, krijojnë barriera, krijohen grupet shoqërore të fokusuara në një etni, gjë që pengon paqen e përditshme. Ne të rinjtë, duhet të solidarizohemi me njëri-tjetrin, ndryshimin e fillojmë ne, me hapa të vegjël.” – rrëfehet Deliza.
Ajo për në fund, dërgon mesazh tek të rinjtë, ndaj të gjitha komuniteteve:
“Paqja është drejtësi. Të gjithë jemi të barabartë dhe jetojmë së bashku në një Kosovë, andaj duhet të pranojmë njëri-tjetrin me vlerat që kemi. Një shoqëri e përbashkët me kultura të ndryshme, tregon një shoqëri demokrate.” – përfundon mesazhin Deliza Bytyqi.
Gazetarja: Shyret Hoxhaj







