May tele shay te arakhen o lafipe e ry Shyret Hoxhaj kote vakergya ani asolemnyuni akademia vash manifestipe 8.to aprilesko.
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur përfaqësues institucionalë, përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë, miq dhe
anëtarë të komunitetit Rom, si dhe anëtarë të komuniteteve tjera!
Sot, më lejoni të ndaj me ju ndjenjën e thellë të nderit që kam, që në cilësinë e përfaqësueses së
komunitetit Rom në Komitetin për Komunitete në Komunën e Prizrenit, në bashkëpunim
me OJQ-në “Durmish Aslano” dhe në kuadër të Rrjetit të Organizatave Jo Qeveritare
Rome, kam privilegjin të organizojmë këtë Akademi Solemne për nder të 8 Prillit – Ditës
Ndërkombëtare të Romëve.
8 Prilli është më shumë se një datë kalendarike – është një kujtesë e gjallë për historinë, kulturën,
sfidat dhe rezistencën e popullit Rom në mbarë botën. Është një ditë për të reflektuar mbi
rrugëtimin tonë kolektiv dhe për të afirmuar zotimin tonë ndaj drejtësisë sociale, barazisë dhe
përfshirjes.
Në këtë rrugëtim, jam thellësisht e vetëdijshme për përgjegjësinë që bart si përfaqësuese e
komunitetit tim. Nuk është vetëm një titull – është një thirrje për angazhim të përditshëm.
Angazhohem që zëri i komunitetit Rom të mos mbetet vetëm në aktivitete simbolike si kjo
sot, por të reflektohet në politikat lokale, në buxhetet komunale, në programet për arsim,
punësim dhe strehim.
Jam këtu për të dëgjuar, për të përfaqësuar, por mbi të gjitha – për të vepruar.
Ne kemi nevojë për përfshirje reale – për të rinj që ndjekin arsimimin pa barriera, për gra Rome
që marrin hapësirën që meritojnë, për familje që jetojnë me dinjitet dhe pa frikën e diskriminimit.
Këto janë kauzat që më motivojnë çdo ditë.
Sot, në këtë ambient të mbushur me dinjitet dhe krenari, ne nuk festojmë vetëm përkatësinë tonë
etnike, por edhe kontributin që komuniteti Rom jep çdo ditë në jetën kulturore, sociale dhe
politike të vendit tonë.
Ne jemi pjesë e pandashme e shoqërisë kosovare – qytetarë të barabartë, me të njëjtat të drejta,
me zë dhe me vizion për të ardhmen.
Organizimi i kësaj Akademie nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e sinqertë dhe të
përkushtuar me OJQ-në “Durmish Aslano”, të cilët prej vitesh janë shtyllë e fortë e fuqizimit të
komunitetit tonë në Prizren dhe më gjerë. falënderime të veçanta shkojnë edhe për Rrjetin e
OJQ-ve Rome, i cili vazhdimisht luan një rol të rëndësishëm në mobilizimin dhe përfaqësimin e
zërit të komunitetit në nivel lokal dhe nacional.
Të dashur pjesëmarrës,
Rruga drejt barazisë nuk është e lehtë, por është e drejtë. Për këtë arsye, roli i institucioneve
lokale dhe qendrore është kyç në krijimin e politikave që garantojnë integrimin real dhe të
qëndrueshëm të komunitetit Rom. Por përveç institucioneve, secili prej nesh ka një rol për të
luajtur – si qytetar, si prind, si aktivist, si pjesë e kësaj shoqërie.
Sot, nga ky vend, lëshojmë një mesazh të fortë: Asgjë për ne, pa ne! Zëri ynë ka vend në tryezat
vendimmarrëse, në institucionet publike, në universitetet e vendit, dhe në çdo hapësirë ku
ndërtohet e ardhmja.
Në fund, dua të shpreh mirënjohjen time për secilin prej jush që jeni këtu sot – për të festuar, për
të kujtuar, dhe për të ndërtuar bashkë. Ju falenderit sinqerisht për të gjithë ju që i’u përgjigjët
ftesës sonë dhe e ndatë këtë ditë të rëndësishme me ne.
Prania juaj këtu nuk është vetëm një gjest simbolik, por një dëshmi e përkushtimit tuaj ndaj
vlerave të barazisë, respektit dhe bashkëjetesës.
Ju faleminderit nga zemra!
Gëzuar 8 Prillin!
Rroftë komuniteti Rom!
Rroftë Prizreni i bashkëjetesës dhe i diversitetit!








