Patentë shofer me para

Radio "Romano Avazo" Avatar

Për të marrë patentë shofer në Kosovë, kandidatët duhet të kalojnë testin teorik dhe atë praktik, pasi të kenë kryer përgatitjet në autoshkollë, çertifikatën mjekësore, trajnimi në kryqin e kuq për dhënien e ndihmës së parë. Por, për disa prej tyre, kalimi i dy testeve mund të ketë edhe një kosto tjetër, përtej tarifave zyrtare.

Testi për patentë shofer është krijuar për të përcaktuar nëse një person ka njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt.

Dy persona që kanë pranuar të flasin për këtë hulumtim, por që kanë kërkuar të mbeten anonimë, ata tregojnë se kanë paguar para për të kaluar testin e vozitjes. Njëri thotë se ka dhënë 50 euro në vitin 2019 , ndërsa tjetri 200 euro në vitin 2024.

Dëshmitë e tyre mbështeten edhe nga rrëfimi i një ish-instruktori të autoshkollës nga Prishtina, i cili ka punuar për vite në këtë sektor dhe tani është në pension. Ai pretendon se gjatë kohës sa ka punuar në autoshkollë ka hasur në raste ku kandidatët paguanin për të kaluar testet dhe se, në raste të tilla, instruktorët mund të shërbenin si ndërmjetësues mes kandidatëve dhe ekzaminuesve.

Për të verifikuar këto pretendime dhe për të kuptuar se si mund të funksionojë një skemë e tillë, për qëllimet e këtij hulumtimi ne vizituam tri autoshkolla, dy në Prishtinë dhe një në Fushë Kosovë. Në dy prej tyre u konfirmua se kalimi i testimit me para mund të bëhej edhe pa i pasur të gjitha njohuritë e nevojshme. Në njërën prej autoshkollave, personi në recepsion fillimisht shpjegoi procedurat ligjore për pajisjen me patentë-shofer, ndërsa më pas pranoi se testet mund të kaloheshin edhe përmes ryshfetit.

“Rregullohen krejt këto punë, fillimisht duhesh me pru dëshmin e mjekut, (çertifikatën mjekësore), pastaj “6-të (600 euro) është provimi teorik, vozitja është 2 (200 euro), për ato më duhet mu me i siguri knej. Pjesën e parë e paguan ne autoshkollë (pagesën që duhët të bëhet për autoshkollën), pjesën e dytë (ryshfetin) masi të hyjsh në vozitje, por gjithcka shkon prej meje e len ktu (bënë me dorë nga tavolina e autoshkollës, veç me mu merresh, me ata ski qa bënë, vjen një ditë para në autoshkollë dhe ne të kallxojmë”, tregon ajo.

Në një tjetër autoshkollë, kur u pyet drejtpërdrejt për mundësinë e ryshfetit për kalimin e testeve, përgjigjja ishte: “nuk e kam shefin këtu, me të mundesh me fol për këto çeshtje, hajde naj dite tjeter”, thotë punëtorja në autoshkollën tjetër, ndërsa në autoshkollën në refuzuar se kjo procedurë mund të kryhet me para.

Këto gjetje marrin një dimension tjetër kur procesi shihet nga këndvështrimi i hetimit kriminalistik. Reshat Maliqi, avokat dhe ish-zyrtar policor në Policinë e Kosovës, thotë se në një rast të tillë nuk duhet kërkuar vetëm pika ku mund të ndodhë një parregullsi, por edhe kushtet që e bëjnë atë të mundur dhe të vështirë për t’u zbuluar.

“Nga këndvështrimi i situatologjise( situatat kriminale ), pyetja nuk është vetem” ku mund te ketë parregullsi”?, por “ ku krijohen kushtet qe parregullsia te behet e mundur dhe e vështirë për t’u zbuluar? Ka shume komente q patente shoferi merret edhe neper restorante dhe kafene te ndryshme, përmes telefonatave apo lidhjeve miqësore dhe atyre te korrupsionit. Te gjithë duhet ta kuptojnë se patente shoferi nuk është karte privilegji, por është përgjegjësi për jete njerëzish, një sistem serioz nuk pyet ku je ulur, por çfarë di te bësh pas timonit, dhe kur ligji zëvendësohet me njohtë dikën, rruga nuk behet me e rrezikshme vetem nga shoferi por ajo behet e rrezikshme nga sistemi qe ia dha patentën.”

Rregullat e shkruara dhe të pashkruara

Procesi i pajisjes me patentë shofer në Kosovë është i rregulluar me Ligjin për Patentë Shofer. Kandidati duhet të ndjekë përgatitjet përkatëse dhe më pas t’i nënshtrohet testit teorik dhe atij praktik.

Testi praktik duhet të dëshmojë nëse kandidati është në gjendje ta drejtojë automjetin në mënyrë të pavarur dhe të sigurt. Në rast të dështimit, evidentohen gabimet e kandidatit dhe procesi parashikon mundësinë e përsëritjes së testimit dhe marrjen e përgatitjeve shtesë.

Dëshmitë e mbledhura për këtë hulumtim pretendojnë se në disa raste rezultati mund të ndikohet nga pagesat.

Njëra prej personave të intervistuar, të cilën për shkak të kërkesës së saj për anonimitet do ta identifikojmë me emrin Aulona, tregon se kishte përfunduar testin teorik dhe përgatitjet praktike para se t’i nënshtrohej testit të vozitjes.

Në tentimin e parë, ajo thotë se nuk e kishte kaluar testin.

Pas dështimit, sipas saj, instruktori i kishte treguar se ekzistonte mundësia për të paguar përmes “të njofshëmve” dhe për ta kaluar testin.

Pas rreth një muaji, ajo iu nënshtrua përsëri testit.

“Këtë herë testin e kam kalu pa asnjë problem”, tregon ajo.

Sipas saj, pagesa ishte bërë përmes instruktorit.

50 euro ishte shuma që ajo thotë se kishte paguar.

Aulona thotë se nuk e kishte bërë pagesën drejtpërdrejt te ekzaminuesi, por ia kishte dhënë paratë instruktorit, sipas udhëzimit të tij.

Një tjetër person, të cilin do ta identifikojmë me emrin Lindi, tregon një përvojë tjetër.

Ai thotë se për testin teorik nuk kishte pasur nevojë të paguante, pasi ishte përgatitur vetë. Por, kur erdhi koha për testin praktik, vendosi të paguante.

“E kam ditë që e kaloj”, thotë ai, por shton se nuk donte të rrezikonte të dështonte dhe të përsëriste të gjithë procedurën.

Arsyeja ishte edhe urgjenca për ta marrë patentën, pasi kishte planifikuar të udhëtonte për punë në Gjermani.

Për kalimin e testit praktik, ai thotë se kishte paguar 200 euro.

Sigurimi i provave konkrete për këto raste, si fotografi, mesazhe apo forma të tjera të dokumentimit, paraqitet si një sfidë e veçantë në kuadër të këtij hulumtimi. Personat e intervistuar kanë deklaruar se instruktorët e autoshkollave nuk kanë folur në mënyrë të drejtpërdrejtë për ryshfet, por, sipas tyre, kanë përdorur shprehje të tërthorta ose “me kode”, si “mundet mu kry ndryshe” apo “50 po e kanë ata”, të cilat janë interpretuar nga ta si referenca për një pagesë të mundshme për sigurimin e kalimit të testit. Sipas të intervistuarve, këto biseda janë zhvilluar drejtpërdrejt, gjatë komunikimit ballë për ballë, dhe nuk kanë qenë të shkruara në mesazhe apo forma të tjera të dokumentueshme.

Një situatë e ngjashme është evidentuar edhe gjatë hulumtimit për këtë artikull. Në komunikimin me një përfaqësuese të një autoshkolle, ajo ka deklaruar se pagesa për shërbimin bëhet në para të gatshme, drejtpërdrejt në autoshkollë, ndërsa më pas, sipas saj, autoshkolla merret me pjesën tjetër të procedurës.

Përkundër pyetjes konkrete se sa raste të dyshuara për korrupsion, ryshfet apo parregullsi janë referuar në organet e hetuesisë gjatë pesë viteve të fundit, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) nuk ka dhënë një numër të rasteve. Ministria ka deklaruar se rastet për të cilat janë evidentuar dyshime të arsyeshme janë referuar tek autoritetet kompetente, kur është vlerësuar se ekzistojnë elemente për trajtim nga organet e hetuesisë.

“Rastet për të cilat janë evidentuar dyshime të arsyeshme për parregullsi, përfshirë dyshime për korrupsion apo ryshfet, janë trajtuar në përputhje me kompetencat institucionale dhe legjislacionin në fuqi. Kur është vlerësuar se ekzistojnë elemente që kërkojnë trajtim nga organet kompetente të hetuesisë, rastet përkatëse janë referuar tek autoritetet përgjegjëse, sipas procedurave ligjore. Të dhënat lidhur me numrin e rasteve të referuara duhet të konfirmohen nga evidencat zyrtare të institucioneve përgjegjëse, për të siguruar saktësinë dhe besueshmërinë e informacionit të paraqitur.”

Për avokatin Maliqi, në rastet kur ekziston dyshimi për ndikim të paligjshëm në marrjen e patentë-shoferit, hetimi nuk duhet të ndalet te rezultati i një testi. Sipas tij, duhet të shqyrtohet i gjithë zinxhiri i veprimeve dhe personave që kanë pasur rol në proces.

“Ne një hetim te tille, nuk do te mjaftonte te pyetet vetem: “kush e mori patente shoferin”? por pyetja profesionale do te ishte : si e mori, kush e ndihmoj, kush ndërhyri, kush përfitoj dhe a është cenuar procedura”?

Ai thekson se përgjigjet për këto pyetje duhet të mbështeten në prova dhe jo vetëm në dyshime apo deklarata.

“Hetimet e tilla duhet te mbështeten ne prova konkrete: deklarata, dokumentacion, te dhëna elektronike, komunikime te ligjshme te siguruara sipas procedurave, verifikimit te rezultateve te testimit, identifikim të ndërmjetësve dhe analize te çdo parregullsie ne proces. Nëse gjate procesit te hetimeve vërtetohet se ka elemente te veprës penale , atëherë rasti duhet te procedohet me profesionalizëm pa asnjë vonesë dhe pa kompromise tek organet kompetente te drejtësisë.”

“Instruktori si ndërmjetësues”

Ish-instruktori i autoshkollës, i cili gjithashtu ka kërkuar anonimitet, pretendon se pagesat për kalimin e testit kanë funksionuar në mënyra të ndryshme.

Sipas tij, kandidatët që kanë vendosur të paguajnë për kalimin e testit, në disa raste ia kanë dorëzuar paratë instruktorit, ndërsa instruktori më pas i ka përcjellë ato te ekzaminuesit.

Ai pretendon se pagesat mund të bëhen para testimit ose pas përfundimit të tij, ndërsa takimet për dorëzimin e parave mund të zhvillohen jashtë qendrave të testimit.

Sipas ish-instruktorit, për testin teorik pagesa mund të arrij rreth 700 euro, ndërsa për testin praktik rreth 200 euro.

Ai pretendon se në rastet që ai ka parë, nga pagesa për testin teorik rreth 400 euro mund t’i merrte ekzaminuesi, ndërsa 200 deri në 300 euro instruktori.

Përvoja e përshkruar nga ish-instruktori përputhet me një nga pyetjet që Maliqi e konsideron thelbësore në një hetim të tillë: kush e ndihmoi kandidatin, kush ndërhyri dhe kush përfitoi.

Në këtë kuadër, ai thotë se një hetim serioz duhet të kërkojë jo vetëm një rast individual, por edhe modele të përsëritura që mund të tregojnë një skemë më të gjerë.

“Nga perspektiva e një Avokati penalist, këto raste janë jashtëzakonisht interesante sepse shpesh nuk janë raste” te pastra”. Ne fazën fillestare këto raste mund te fillojnë si një dyshim administrativë për një rezultat te çuditshëm ne provim, për je dokument te munguar, për një kandidat qe kalon një procedurë ne mënyrë te pazakonte, por pastaj hetimi te çoje te një rrjet shume i gjere: kandidat, instruktor ne auto shkolle, person ndërmjetësues, ekzaminues, zyrtare administrativë dhe ne raste te caktuara edhe persona qe ndërhyjnë ne sistem elektronike, dhe këtu vijnë ne shprehje njohurit nga kriminalistika operative. një hetim serioz nuk fillon vetem me pyetjen: A është marre ryshfet? Por fillon “ si funksiononte skema”?. Nëse kemi dyshimin se dikush ka ndihmuar një kandidat te kaloje një provim pa i përmbushur kushtet, kriminalistika nuk shikon vetem rezultatin final. Analizon te gjithë rrjedhën e ngjarjes; kush e ka regjistruar kandidatin, kush e ka futur ne sistem, kush ka qene ekzaminues, kur është futur rezultati, kush ka pasur qasje ne sistem, me kë ka komunikuar peroni para dhe pas provimit, a ka pasur pagese, a ka pasur ndërmjetës dhe nëse ka kandidate te tjerë me te njëjtin mode”, thotë Maliqi.

MIT, megjithatë, pranon se përtej monitorimit përmes kamerave, aktualisht mungon një mekanizëm i veçantë dhe i standardizuar për monitorimin sistematik të performancës së ekzaminuesve dhe identifikimin e rezultateve që dallojnë në mënyrë të pazakontë nga mesatarja.

“Aktualisht, mungesa e një mekanizmi të veçantë dhe të standardizuar për monitorimin sistematik të performancës së pyetsve paraqet një sfidë. Institucioni e konsideron të rëndësishme zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmave të monitorimit dhe analizës së të dhënave, me qëllim rritjen e transparencës, objektivitetit dhe integritetit të procesit të testimit.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Një rast i dokumentuar nga Policia e Kosovës tregon një shumë edhe më të lartë. Në gusht të vitit 2025, Policia njoftoi se dy persona ishin arrestuar nën dyshimin se kishin pranuar 850 euro për kandidat, në këmbim të kalimit të testit teorik për patentë shofer.

Sipas njoftimit të Policisë, hetimet ishin zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe kishin filluar disa muaj para arrestimit.

Një rast tjetër i bërë publik nga Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, lidhet me pesë persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në procesin e nxjerrjes së patentave të vozitjes.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.R., në cilësinë e ekzaminerit, dyshohet se ka ndihmuar disa kandidatë duke u treguar pyetjet e sakta gjatë testimit teorik për patentë shofer, nga 18 korriku deri më 22 shtator 2022 në Pejë. Kjo i ka mundësuar kandidatëve të kalojnë provimin teorik në mënyrë të paligjshme.

Në kuadër të këtij hulumtimi janë kontaktuar disa autoshkolla në Kosovë, të cilat kanë deklaruar se çmimi për regjistrimin dhe përgatitjen e kandidatëve për pajisje me patentë-shofer ka variuar nga 150 deri në 250 euro. Përveç pagesës për autoshkollën, kandidatët duhet të mbulojnë edhe shpenzime të tjera të parashikuara gjatë procesit, përfshirë rreth 60-80 euro për rregullimin e dokumentacionit, rreth 20 euro për certifikatën mjekësore, 16 euro për certifikatën e ndihmës së parë, si dhe tarifat për paraqitjen e testit teorik, testit praktik dhe përdorimin e automjetit gjatë testimit. Në total shpenzimet mund të arrijn nga 250-350 euro, këto përbëjnë shpenzime të lidhura me procedurën e rregullt për pajisjen me patentë-shofer.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës 2020-qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 79 raste për “marrje të ryshfetit” dhe 158 raste për “dhënie të ryshfetit”. Megjithatë, në përgjigjen e saj për këtë hulumtim, Policia e Kosovës nuk ka ofruar të dhëna specifike se sa prej këtyre rasteve lidhen drejtpërdrejt me pajisjen me patentë shofer, por ka sqaruar se ndonjë prej tyre mund të jetë iniciuar në lidhje me këtë proces. Për këtë arsye, këto statistika paraqesin numrin e përgjithshëm të rasteve të ryshfetit të regjistruara nga Policia dhe nuk mund të konsiderohen si numër i rasteve të korrupsionit në procesin e marrjes së patentë shoferit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës gjithashtu ka konfirmuar se kanë trajtuar raste të veprës penale të ndërlidhura me patentë-shoferët, por nuk ka ofruar të dhëna të detajuara specifikisht për këto raste, por statistika të përgjitshme që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar.

Maliqi thotë se, nga këndvështrimi juridik, një rast i dyshuar duhet të analizohet përmes zinxhirit të provave dhe jo vetëm përmes rezultatit përfundimtar.

“Gjate punës time profesionale nga këndvështrimi im, çështjen e marrjes se patente shoferit e kam pare si çështje te sigurisë në rrugë. Dhe me plote gojën e them se një patente i marre me merite është një dokument qe dëshmon aftësinë dhe përgjegjësinë e shoferit; një patente i marre përmes ryshfetit, ndikimit apo falsifikimit mund te shndërrohet ne rrezik te drejtpërdrejtë për jetën e qytetareve. Prandaj lufta kundër korrupsionit ne këtë fushe nuk është vetem lufte për integritetin e një institucioni por është lufte për jetën dhe sigurinë e çdo qytetari ne rrugë. Korrupsioni ne dhënien e patente shoferit nuk është thjeshte vetem shkelje ligjore por është rrezik i drejtpërdrejtë për shëndetin dhe jetën e çdo njeriu ne rrugë.”

Sipas Raporti i Auditimit të Performancës Siguria në Trafikun Rrugor të publikuar në dhjetor 2019, gjatë periudhës janar–qershor, grupmosha 19–30 vjeç ka shënuar numrin më të lartë të viktimave në aksidente fatale: 19 persona në vitin 2017 dhe 17 persona në vitin 2018.

 

“Përqindjet e shkaktarëve kryesor të aksidenteve për gjashtë mujorin e parë të vitit 2018. 19.6% manipulimi i pasigurtë me automjet (pakujdesia), 17.7% mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, 16.6% mos mbajta e distancës së sigurisë, 6.4 % kyçje e pasigurtë në rrugë, 6.3% kthim rrotullim lëvizje prapa, Përqindja e fletëparaqitjeve për kundërvajtje në trafik për periudhën Janar – Qershor 2018. 41.9 % mosrespektimi i shpejtësisë së kufizuar, 11.4 % rripi i sigurisë, 11.2 % parkim i parregullt, si dhe 6.5 % mosrespektim i shenjave të trafikut.”

Ndërkohë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) thotë se gjatë periudhës 2021-2026 ka pranuar vetëm një rast sinjalizimi që lidhet me procesin e pajisjes me patentë shofer.

Sipas Agjencisë, rasti është trajtuar në përputhje me legjislacionin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

“Sa i përket analizave dhe vlerësimeve të rrezikut të korrupsionit, Agjencia i zhvillon ato mbi bazën e prioriteteve strategjike, vlerësimit të nivelit të rrezikut, informacionit të disponueshëm dhe kapaciteteve institucionale. Deri më tani, nuk është realizuar ndonjë analizë, vlerësim i rrezikut apo raport i veçantë që trajton procesin e pajisjes me patentë shofer”, thuhet në përgjigjen e APK.

Megjithatë, APK thekson se mungesa e një analize specifike nuk nënkupton mungesë të rrezikut të korrupsionit. Sipas saj, kjo tregon vetëm se ky proces nuk ka qenë pjesë e prioriteteve të deritanishme të vlerësimit.

Në aspektin juridik, Maliqi rikujton se edhe kur ekzistojnë indicie për parregullsi, ato duhet të shoqërohen me prova që mund të ndërtojnë përgjegjësinë individuale dhe lidhjen mes veprimit zyrtar dhe përfitimit të paligjshëm.

Në fund, Maliqi e vendos çështjen në një kontekst më të gjerë: atë të sigurisë publike.

“Me plot te drejte ju them se dyshimet për blerje te patente shoferit, ndërhyrjet apo ndikimet përmes lidhjeve miqësore dhe korruptive përherë kane qene prezentë dhe janë edhe sot. Për mua këto raste ishin dhe mbeten te qarta se këto raste nuk mund te trajtohen si raste te zakonshme administrative. Ato duhet te trajtohen si çështje te integritetit institucional dhe te sigurisë publike. Pikërisht për këtë arsye, gjate përgjegjësive te mia kam kërkuar qe te hartohen strategji te fuqishme, te bazuara ne praktikat me te mira vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, ku duhet te parashihen masa konkrete për parandalim, zbulim dhe ndëshkim te çdo forme te korrupsionit ne këtë proces”

Mungesa e të dhënave të ndara specifikisht për patentë-shoferët nga institucionet përgjegjëse dhe vështirësia për të siguruar prova të drejtpërdrejta për bisedat dhe pagesat e pretenduara e bëjnë të vështirë përcaktimin e përmasës së këtij fenomeni. Por pikërisht kjo vështirësi, sipas ekspertizës së Maliqit, e bën të domosdoshëm hetimin e modeleve, lidhjeve dhe zinxhirit të plotë të procesit, në vend që rastet të trajtohen si incidente të izoluara.

This story has been produced with the financial assistance of the US Department of State through the “Society Against Corruption in Montenegro and Western Balkans Region” project. The contents of this story are the sole responsibility of the journalist who produces it and can under no circumstances be regarded as reflecting the position of the US Department of State.

Latest posts
Search