
Një vit pas miratimit, Plani Lokal i Veprimit për përfshirjen e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Komunën e Prizrenit ende nuk ka filluar të zbatohet në mënyrë konkrete, ndërsa 50 mijë eurot e parapara për zbatimin e tij gjatë vitit 2026 ende nuk janë ndarë.
Hartimi i këtij plani është mundësuar nga organizata Nevo Koncepti, në bashkëpunim me KFOS, pas vonesave dhe mungesës së gatishmërisë së Komunës së Prizrenit për ta hartuar dokumentin. Pas një procesi që zgjati rreth një deri në dy vjet, plani u miratua unanimisht nga Kuvendi Komunal, pasi paraprakisht kishte kaluar edhe në Komitetin për Politikë dhe Financa.
Plani parasheh masa në disa fusha, përfshirë arsimin dhe edukimin, mirëqenien sociale, strehimin, punësimin, shëndetësinë, kulturën, si dhe median dhe informimin.
Për monitorimin dhe koordinimin e zbatimit të planit është themeluar Komiteti Komunal Veprues, i kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Furkan Butuc, ndërsa koordinator është Islam Elshani.
Sipas Elshanit, gjatë procesit të miratimit të planit, Komuna ishte zotuar se në buxhetin e vitit 2026 do të parashiheshin 50 mijë euro në një kod të veçantë në kuadër të Zyrës për Komunitete dhe Kthim. Megjithatë, këto mjete ende nuk janë ndarë për zbatimin e aktiviteteve të parapara.
Komiteti Komunal Veprues ka ndërmarrë disa hapa për koordinimin e planit. Në fillim të vitit janë zhvilluar takime me drejtoritë komunale të përfshira në zbatimin e objektivave, përfshirë Drejtorinë e Arsimit, Kulturës, Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas Elshanit, këto drejtori kanë shprehur gatishmëri për zbatimin e aktiviteteve dhe secila ka caktuar nga një person kontaktues, i cili do të jetë përgjegjës për komunikimin me Komitetin dhe raportimin mbi zbatimin e aktiviteteve.
“Në vitin 2026 do të ndahen mjete të cilat do të futen në një kod të veçantë te Zyra për Komunitete dhe Kthim. Gjatë vitit 2026 kam biseduar dhe e kam parë vetë që në sistem figuron një buxhet prej 50 mijë eurosh si buxhet i veçantë për këtë plan. Deri këtu kemi arritur, por ka stagnime, dhe kjo tani është një sfidë e papritur për ne.” tha Islam Elshani, koordinator i Komitetit Komunal Veprues
Një pjesë e aktiviteteve të planit parashihet të realizohet edhe përmes organizatave të shoqërisë civile, përmes thirrjeve publike. Megjithatë, edhe ky proces ende nuk ka kaluar në fazën e zbatimit konkret.
Elshani thotë se, pavarësisht hapave të ndërmarrë deri më tani, procesi ka stagnuar dhe se kjo paraqet një sfidë për Komitetin Komunal Veprues.
Plani Lokal i Veprimit synon të përmirësojë përfshirjen e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në jetën sociale dhe institucionale të komunës, përmes masave konkrete në arsim, punësim, shëndetësi, mirëqenie sociale, kulturë dhe fusha të tjera.
Megjithatë, një vit pas miratimit të tij, zbatimi konkret i këtyre masave ende nuk ka nisur, ndërsa buxheti prej 50 mijë eurosh i paraparë për vitin 2026 mbetet i pandarë.
Ky shkrim është realizuar në kuadër të emisionit me temë “Plani Lokal i Veprimit për Përfshirjen e Komuniteteve Rome, Ashkali dhe Egjiptiane të Kosovës në Komunën e Prizrenit 2025–2028”, i cili është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i të drejtave dhe qasjes në shërbime për komunitetet jo-shumicë përmes bashkëpunimit institucional, politikave gjithëpërfshirëse dhe mbështetjes së targetuar.” të mbështetur nga OSBE-ja dhe të implementuar nga Radio Romano Avazo.

