Democracy Plus (D+), në partneritet me Misionin e OSBE-së në Kosovë, shpall thirrjen e hapur për Programin e 10-të të Punës Praktike në nivel lokal. Programi synon të promovojë pjesëmarrjen e të rinjve në proceset e vendimmarrjes dhe politikëbërjes përmes përvojës praktike dhe qasjes të të mësuarit përmes veprimit.
Programi do të përfshijë pesëmbëdhjetë (15) vajza dhe djem të rinj të moshës 20-24 vjeç, të cilët do të angazhohen në institucionet e qeverisjes lokale dhe organizatat partnere të shoqërisë civile (OShC).
Çfarë ofron Programi?
Praktikantët do të kenë mundësinë të fitojnë përvojë profesionale përmes:
- Pjesëmarrjes në proceset e vendimmarrjes dhe politikëbërjes;
- Hartimit të raporteve, analizave dhe dokumenteve të ndryshme;
- Angazhimit në projekte dhe iniciativa lokale;
- Pjesëmarrjes në aktivitete dhe ngjarje relevante.
Kohëzgjatja dhe angazhimi:
Programi zgjat pesë (5) muaj (qershor – tetor 2026).
Praktikantët kërkohet të angazhohen së paku 14 ditë pune në muaj, me orar të pjesshëm.
Kriteret kryesore:
- Të jenë të moshës 20-24 vjeç;
- Të jenë të regjistruar në një program universitar;
- Të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe dhe/ose serbe;
- Njohja e gjuhës angleze përbën përparësi;
- Të kenë njohuri bazike kompjuterike;
- Gatishmëri për punë në ekip dhe interesim për çështje publike;
- Angazhimi në komunitet apo në struktura rinore në komunën përkatëse konsiderohet përparësi.
ME RËNDËSI:
Pjesëmarrja në dy trajnimet e organizuara nga D+ dhe OSBE-ja (10 korrik dhe 10 shtator) është E DETYRUESHME. Mospjesëmarrja në këto trajnime mund të rezultojë me ndërprerje të kontratës.
Kompensimi:
Praktikantët do të marrin kompensim mujor bruto në vlerë prej 142.86 EUR.
Aplikimi:
Kandidatët e interesuar duhet:
- Të plotësojnë Formularin e Aplikimit;
- Të bashkëngjisin CV-në e tyre (maksimum 1 faqe).
Afati i aplikimit: 4 qershor, 2026
Shënim: D+ dhe OSBE-ja janë të përkushtuara në promovimin e diversitetit dhe përfshirjes dhe inkurajojnë vajzat dhe djemtë e rinj të kualifikuar, si dhe kandidatët me aftësi të kufizuara, nga zonat rurale, komunitetet jo-shumicë apo grupet e cenueshme që të aplikojnë për Programin e Punës Praktike.
Pyetjet mund të dërgohen në: info@dplus.org





